Titika Papingji: Shkruaj për të shprehur ndjesitë. Për mua fjala është dashuri, strehë dhe mbrojtje njëkohësisht
Durrsakja Titika Papingji por që tani jeton jashtë Shqipërisë , po përgatitet të nxjerrë në treg dy librat e saj që janë në proçes botimi, romanin “4 stinë , dhimbje dhe dashuri”, dhe librin me poezi ” Ditar në rreshta të thyer”. Portali “Dyrrahu news” zhvilloi një intervistë me të për të mësuar diçka më shumë në lidhje me krijimtarinë e saj por edhe për vetë shkrimtaren.
Dyrrahu news: Sa e gjen veten Titika tek ato që shkruan? Janë përjetime personale me elementë autobiografikë brenda, apo janë përjetime që shtrihen në hapësirë dhe në kohë?
T. Papingji: Është e pamundur të heqësh veten nga ajo që shkruan, por në rastin e romanit “4 stinë, dhimbje dhe dashuri” une jam gjithkund dhe askund. Ngjarjet të tilla mund t’i ndodhin gjithkujt, kurdo. Nuk ka vaksinë për fatkeqesinë
Dyrrahu news:Pavarësht se keni shkruar që në rininë e hershme, vetëm tani vendosët të publikoni diçka nga ato që shkruani. Ka ndonjë arsye të veçantë?
T Papingji: E para; Sepse është hera e parë që arrita në mënyrë të paplanifikuar të shkruaj një histori nga fillimi deri në fund. Të shkruarit gjatë për mua ka qenë gjithnjë i pamundur, që nga koha e hartimeve të shkollës (sidomos ato për partinë e xhaxhin Enver).
E dyta; sepse është një projekt që dua ta çoj deri në fund.
Dyrrahu news: Mendoni se ja keni dalë të përcillni tek lexuesi mesazhet që dëshironi? Si me romanin ashtu dhe me librin me poezi?
T. Papingji: Në fakt nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për të përcjellë, Tek “4 stinet:” dua te paraqes një mënyrë se si njerëzit e thyer mund të kenë një jetë. Tek poezitë janë copeza të perjetimeve të mia. Fjala për mua është dashuri, strehë dhe mbrojtje njëkohësisht.
Dyrrahu news: Kjo që thoni ju është e bukur por ka edhe pjesën e dhimbjes brenda.Por më thuaj. A të ka ndodhur ndonjëherë që fjala,të plagosë kur në fakt ishte ajo që duhej të shpëtonte,?
T. Papingji: Shumë herë. Por dua të theksoj se këtë pushtet tek unë e kanë pasur vetëm ata që unë doja. e vlerësoja
Dyrrahu news: Ti shhkruan poezi që ngjajnë si rrëfime të shpirtit. Kur e ke kuptuar për herë të parë që fjala mund të shpëtojë?
T. Papingji: Ndoshta që kur kam lexuar librin e parë.Ndoshta edhe pak më herët kur nisa të krijoja në kokë histori fantastike.Më duhet të gjeja fjalë për të shprehur ndjesitë. Ndoshta kur vite më vonë u përplasa me njerëz të vështirë.
Dyrrahu news: Ti ke një stil të vecantë të të shkruarit, që vihet re në prozë por sidomos në poezi. Ndoshta tek ato “copëzat”e poezive tuaja e ndjen veten më mirë dhe më lirshem ku me pak fjale shpalos një botë të tërë?
T. Papingji: Në fakt unë shpalos botën time. Nuk më pëlqejnë zbukurimet e ndonjëherë përdor fjalë që për nga natyra nuk përmbajnë ngarkesë emocionale, por kështu jam unë. Pa kompromise dhe shumë tolerancë
Dyrrahu news: Një botë që tani po e ndan me të gjithë ne. Duke të falenderuar për intervistën shpresoj që do të jesh po kaq e gatshme për të folur përsëri për portalin tonë edhe pas daljes së librave. Duke ju uruar suksese më lejoni ta mbyll kete intervistë me një poezi tuajën. Në fakt pak e vështirë për të zgjedhur se ti ke shumë poezi të bukura.
Nuk është zgjedhje
Nuk është zgjedhje
Kaloj dorën
mbi lëvoren e një peme të shtrembëruar.
A thua u shtrembërua vetë,
apo e ka fajin koha,
me stinët e saj —
ato që kalisin lëkurën njerëzore,
jo më këtë pemë të shkretë.
Nuk zë mend unë, jo.
Sado e kërkoj veriun,
nëpërmjet pjesës së myshkëzuar,
gjithnjë dora më ngec
nëpër vraga.
Hap shpirtin.
Derdh balm,
qetësi
dhe shpresë.
E zbraz veten
deri në vdekje.
Të qenit feniks
nuk është një zgjedhje.
T. Papingji: Faleminderit shume per intervistën ! Ju uroj suksese edhe unë në punën tuaj!