Durrës. Dhunuan turistin austriak procedohen penalisht dy 17-vjeçarë
Një turist austriak është dhunuar nga dy të mitur në Durrës.
Pas publikimit të pamjeve të dhunës në rrjete sociale, policia ka shoqëruar dy 17-vjearët që dyshohet se janë autorë të dhunës ndaj turistit.
Të miturit po hetohen në gjendje të lirë për veprën “Dëmtime me dashje”.
“Në lidhje me një lajm të publikuar në një portal mediatik, në lidhje me dhunimin e një shtetasi të huaj dhe me pretendimin se Policia nuk kishte bërë asnjë veprim konkret mbi rastin, sqarojmë:
Rreth orës 22:00 të datës 14.08.2025, është paraqitur te Stacioni i Policisë Plazh, shtetasi austriak (me kombësi rumune) A. D., i cili ka kallëzuar se rreth orës 15:30 të datës 14.08.2025, ishte dhunuar për motive të dobëta, nga 5 shtetas, në lagjen nr. 13.
Menjëherë pas kallëzimit, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, si rezultat i të cilave janë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, dy 17-vjeçarë që dyshohet se kanë dhunuar shtetasin A. D. Në përfundim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me prokurorin, për dy të miturit nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale ‘Dëmtime të tjera me dashje’”, njofton policia.